Intervistë
KARIERA.mk Ju prezanton edhe një rrëfim interesant. Në bisedë me drejtorin operativ të Alsat – M, Lirim Hajredini, Ju njohim me strategjitë profesionale dhe personale të cilat janë faktor kyç për realizimin e qëllimit Tuaj dhe Ju motivojmë që të ecni me guxim në rrugën e suksesit.
1. Si jeni përballur me sfidën që nga Project Manager të jeni Chief opereting në televizionin nacional? Si dallohen obligimet?
Puna si Project Manager më mundësoi që të fitoj përvojë të madhe në udhëheqjen e projekteve, si me operacionet day to day, ashtu edhe me udhëheqjen strategjike të të njëjtëve. Megjithatë, ekzistojnë dallime të mëdha në detyrimet si në vëllim ashtu edhe në intensitet ngase Alsat është televizion nacional i cili ka 135 të punësuar dhe kërkon angazhim dhe përkushtim të madh. Nënkuptohet që sfida ishte e madhe, duke pasur parasysh se vija nga një sferë krejtësisht ndryshe nga biznesi dhe industria televizive. Por, siç përmenda pak më parë, përvojën në udhëheqjen me projekte e kisha bazë të mirë për tu përballur me sfidën në pozitën e re. Në fund të ditës, parimi themelor i menaxhimit është i njëjtë tek të gjitha industritë dhe sferat e ai është “stick to the rules” („përmbaju rregullave te lojës„)
2. Në portofolin tuaj të madh të projekteve, si vendosni se cili projekt do të zbatohet dhe cili paraqet rrezik?
Televizioni është industri tejet dinamike, prandaj kërkon marrjen e vendimeve të shumta, të cilat ndonjëherë duhet të merren edhe në periudhë shumë të shkurtër. Sa i përket teknologjisë, ajo zhvillohet shumë shpejt, duhet të ndiqen tendencat botërorë dhe të njëjtët të aplikohen edhe në televizion. Nënkuptohet se me atë rast duhet pasur parasysh “cost” efikasitetin, produktivitetin dhe rritjen e të ardhurave. Sa i përket pjesës përmbajtësore, përkatësisht a do të emetohet ose jo një përmbajtje, varet nga se a do ta pranojnë atë shikuesit tanë. Në Maqedoni ekziston sistem matjeje e shikueshmërisë televizive me çka na mundësohet që më lehtë dhe në mënyrë më efektive të marrim vendime për atë që një projekt a do të shkojë në eter ose jo.
3. Si i motivoni të punësuarit tuaj?
Motivimi varet, pikësëpari, nga individi, njerëz të ndryshëm motivohen në mënyra të ndryshme. Nënkuptohet që në një kompani kushtet e punës janë bazë për motivim të mirë. Në këtë pjesë Alsat-i ofron kushte të përsosura pune. Përsosmëria profesionale është gjithashtu një motivues thelbësor i të punësuarve të cilën Alsat-i e përkrah edhe në aspektin material edhe jo material, kryesorja këtu është që iniciativa dhe interesimi për përsosmërinë profesionale duhet të rrjedhë nga vetë i punësuari. Pastaj Alsat-i merr vendim, në bazë të nevojave të pozitës së punës dhe efekteve që do t’i kishte kjo përsosmëri. Gjithsesi, në fund, por që edhe nuk është më pak qenësore, është motivimi financiar që realizohet përmes sistemit të shpërblimeve,

4. Për cilin pozicion pune është më vështirë të gjendet kuadër adekuat?
Gazetar. Profesioni i gazetarit është specifik, përveç arsimimit dhe profesionalizmit të duhur, gazetari duhet të jetojë me profesionin, të ndjekë tërë kohën, të jetë i interesuar, të lexojë çfarë informojnë, çfarë shkruajnë mediumet tjera. Gazetari nuk ka orar të caktuar pune ngase shumica e ngjarjeve nuk ndodhin me njoftim paraprak...
5. Kuadri televiziv përbëhet nga profesione të ndryshme, cilat kualifikime duhet t’i ketë një kandidatë që të bëhet pjesë e ekipit të Televizionit Alsat-M?
Si në çdo industri tjetër ashtu edhe në televizion themelorja është që çdo kandidat, pikësëpari, duhet të ketë arsimim të duhur dhe, nënkuptohet, përvojë për pozicionin e caktuar. Gjëja specifike e punës në televizion është ajo që bëhet fjalë për, siç theksuam më lartë, një industri tejet dinamike dhe prandaj nga kandidatët kërkohet që maksimalisht t’i përkushtohen punës. Ka shumë pak hapësirë për gabime ngase çdo gabim paraqitet në ekran dhe shikuesi reagon menjëherë.
6.Çfarë do t’i këshillonit kandidatët të cilët dëshirojnë të punojnë në televizion si ky i Juaji?
Të gjithë kandidatët të cilët do të dëshironin në të ardhshmen të punojnë në Alsat duhet të dinë që jemi kompani private e cila funksionin në treg kryekëput sipas rregullave që i dikton vetë tregu dhe se mbi 95% të të ardhurave vijnë nga klientët të cilët reklamohen në Alsat. Këtë e potencoj ngase, për fat të keq, në Maqedoni ende nuk është ndryshuar tërësisht vetëdija se jetojmë në shoqëri kapitaliste dhe se roli i shtetit në treg duhet të jetë minimal. Më tragjike është ajo që mënyra e të menduarit jo kapitalist dhe jo të mbështetur në parimet e tregut , është aktuale edhe te gjeneratat e reja të cilat ende mendojnë për “punë shtetërore”. Gjithsesi, kandidatët duhet t’i kenë edhe kualifikimet profesionale adekuate për pozicionin e punës për të cilin aplikojnë.
7. Dhe për fund, çfarë ju bën të ndryshëm nga televizionet tjera?
Televizioni Alsat, jo vetëm që është i ndryshëm por është i vetmi televizion në Maqedoni dhe në rajon, i cili promovon vlera për të cilat politikanët dhe shteti flasin vetëm në mënyrë deklarative në 30 vitet e fundit. Alsat është televizioni i parë i cili e filloi konceptin e dygjuhësisë me qëllim që të dyja etnikumet më të mëdha në Maqedoni të njoftohen më mirë ndërmjet vetes, që t’i njohin edhe anët dobëta edhe të forta të tjetrit.