Shpesh kur lëviz nëpër mëhallën time të vjetër në Çair, më kthehen kujtimet e fëmijërisë. Kujtimet kur në parkun e Çairit, në vend të ndërtesës së tanishme te markata „Vero“, luanim tërë ditën futboll me porta të improvizuara me gurë. Kujtimet kur në oborrin e kishës pas shtëpisë sime luanim bashkë shqiptarë, boshnjakë, turq, maqedonas etj. Më kujtohet edhe kur në rrugicën në të cilën u rrita („Cvetan Dimov“) kishte vetëm një furrë të vjetër (te gjyshja). Atëherë “solenkat”të cilat i hanim nuk mbanin erën e benzinës së automobilit të parkuar fare pranë tavolinës. Që atëherë,Çairi ka ndryshuar, Shkupi u nda, dhe me të ndryshuan dhe u ndanë edhe vetë qytetarët.
Është interesant fakti se Shkupi në historinë e largët asnjëherë nuk është njohur si qytet i ndarë, por përkundrazi, njihej si qyet i bashkëjetesës dhe tolerancës. Shkupi i vjetër ishte më i zhvilluar në anën e majtë të lumit Vardar, si vend strategjik në periudhën pesë-shekullore osmane. “Ndarja” në anën e majtë dhe të djathtë të qytetit fillon pas ndërtimit të hekurudhës në vitin 1873, në periudhën kur Shkupi fillon të urbanizohet edhe nga ana tjetër (e djathtë) e lumit. Periudha kur Shkupi u ndërtua më së shumtiështë periudha e pas tërmetit katastrofik në vitin 1963, kur me rindërtimin u rrit në një qyet të solidaritetit ndërkombëtar. Pas pavarësisë së Maqedonisë, kur pushteti vendor është në dorën e nacionalistëve, ndarja ndërmjet anës së majtë dhe të djathtë të Vardarit bëhet më e dukshme dhe këtë më së shumti e ndiejnë shkupjanët nga ana e majtë e qytetit, ku për shkak të dendësisë së madhe të popullsisë problemet infrastrukturore ishin më të mëdha, ndërsa investimet gjithnjë e më të vogla. Ndjenja se pushteti vendor për qytetarët e njërës anë ishte nënë, kurse për ata anës tjetër njerkë, u shpreh më së shumti në projektin shumë të shtrenjtë „Shkupi 2014“ i cili thelloi ndarjet në qytet, të cilin fillova të mos e njoh më.
Nuk duhet të jesh ndonjë analist dhe t’i kuptosh shumë gjëra për të ardhur në konkluzionin se Shkupi atë periudhë nuk i donte të gjithë “fëmijët” e tij njëlloj. Gjithçka që duhet të bësh është vetëm të kalosh Urën e Gurit nga njëra anë në tjetrën dhe gjithçka do të të bëhet e qartë. Zemërimi i banorëve që jetojnë në këtë pjesë të qytetit bëhej gjithnjë e më i dukshëm, dhe ky zemërim vërehet edhe sot. Ndërtesa jolegale në çdo cep, hapësira publike të uzurpuara, higjienë e lënë pas dore, gjelbërim pothuajse i padukshëm, trotuare të uzurpuara nga automobilat, mungesa e infrastrukturës për biçikleta, deponi informale ..., janë vetëm disa nga problemet që ulën nivelin e cilësisë së jetesës në anën e majtë të qytetit. Këto probleme çdo ditë shkaktojnë zemërim dhe më pak tolerancë nga ana e qytetarëve që jetojnë në këtë pjesë, por edhe nga ata që kalojnë andej në këtë periudhë të ditës.
Duke parë këtë kaos dhe duke ndjekur zemërimin e përditshëm të qytetarëve, pushteti i atëhershëm, në vend që t’i zgjidhte problemet e akumuluara infrastrukturore, veçanërisht në anën e majtë të Vardarit, vendosiqë me projektin “Shkupi 2014” të investojnë qindra milionë euro në disa metra katrorë në qendrën e qytetit. U përcaktuan për projekte skandaloze si ndërtimi i së ashtuquajturës „Kisha Muze“ në Kalanë e Shkupit dhe ngritja e monumentit të „Car Dushan“ në urën që duhej të bashkonte shkupjanët, dhe jo t’i largonte akoma më shumë. Imagjinoni vetëm, në vend që të
shpenzonin miliona për ndërtimin e muzeut partiak me figura dylli ose në vend të ngritjes së monumentit të „Filipi i Dytë“ para hyrjes në Çarshinë e Vjetër, pushteti i atëhershëm të kishte prioritet zhvillimin e transportit publik në qytet apo investimin në infrastrukturën për këmbësorë dhe biçikleta. Ku do të ishim sot? Për fat të keq, prioritet ishin projekte si ndërtimi i kryqit të madh në Butel, ndërkohë që qytetarët e asaj pjese të qytetit nuk kishin as standardet elementare të trafikut rrugor.
Në vend që të zhvillohen zgjidhje të reja të trafikut rrugor dhe të shkarkohet bulevardi në Bit-Pazar, pushteti i atëhershëm vendosi në Bit-Pazar të ndërtojë një urë të papërdorshme, e cila shërben vetëm për vendosjen e bilbordeve dhe asgjë më tepër. Në vend që të rinovojnë dhe zgjerojnë hapësirat e gjelbra ekzistuese ata vendosën që në „Jaja Pasha“ t’i presin drurët më të vjetër. Dhe sot habitemi pse qytetarët e Çairit, Gazi Babës, Butelit, Shuto Orizares janë të pakënaqur? Shkupi barok dhe Shkupi me monumente provokuese (si „Qoseto“ para gjyqit) nuk ishte më Shkupi im, Shkupi në të cilin u rrita!
Por,ç’rëndësi ka nëse flasim vetëm për probleme, nëse nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e tyre? Ajo që bie në sy këto vitet e fundit është fakti se ndërgjegjësimi i qytetarëve në këtë pjesë të qytetit fillon të rritet, dhe kjo për çështje dhe tema të cilat deri dje ishin absurde. Tashmë nuk flasim për atë nëse investohet dhe punohet në këtë pjesë të qytetit, por flasim për atë se sa janë adekuate dhe cilësore investimet. Tashmë nuk flasim për atë se sa absurde është të mos ketë korsi për biçikleta, por flasim për cilësinë e korsive të biçikletave. Tashmë nuk protestojmë kundër ngritjes së ndërtesave në hapësirat e gjelbra, por ngremë zërin për problemet e qytetarëve në lidhje me vendet e parkimit. Debatojmë si të arrijmë marrëveshje. Flasim për atë se si të zgjidhen problemet me parkimin dhe si të krijohen hapësira adekuate për këmbësorët dhe çiklistët.
Duhet të përshëndesim faktin që përfundimisht ka iniciativa reale për zgjidhjen e shumë problemeve në këtë pjesë të qytetit dhe se përfundimisht ka ekuilibër ndërmjet dy pjesëve të lumit Vardar? Besoj se shumica e shkupjanëve do të përgjigjen me po, edhe pse ka edhe të tillë që duan të mbyllin sytë dhe të injorojnë atë që kjo administratë e qytetit ka bërë vitet e kaluara për të përmirësuar këtë pjesë të qytetit. Po, gjithsesi ka edhe shumë për t’u bërë, por asnjë nuk mund të injorojë atë që ka bërë kjo administratë dhe ky kryetar për të rritur cilësinë e jetës në këtë pjesë të qytetit. A janë të mjaftueshme 3-4 vjet për të zgjidhur të gjitha problemet që ka ky qytet, probleme të krijuara me vite? Gjithsesi që jo, sepse për të zgjidhur problemet shumëvjeçare, janë të nevojshme vite e vite punë.
Unë personalisht krenohem që jam pjesë e kësaj administrate të qytetit për shkak të këtyre gjërave. Në lidhje me infrastrukturën, pothuajse asnjë rrugë (e cila është nën kompetencat e Qytetit të Shkupit) nuk është lënë e paprekur. Flas për rinovimin e rrugës afër Bit-Pazarit, rrugës „Plastika“, rruga nën Kalanë e Shkupit, si dhe në bulevardin “Hristijan Todorovski Karposh” e cila mundësoi lidhjen e Çairit - Butelit-Radishanit direkt me rrugën automobilistike. Flas edhe për rikonstruksionin e rrugëve „Brigada Maqedonase-Kosovare“, „Indira Gandi“ në Shut Orizare, “Lazar Tërpkovski” deri te markata „Princ“, “Xhon Kenedi”, bulevardit „Bosnja dhe Hercegovina“ i cili për sa i përket cilësisë mund të krahasohet me bulevardin „Partizanska“. Të gjitha këto
rikonstruksione parashikojnë korsi për biçikleta. Flas edhe për investime kapitale si ura „ASNOM“ e cila do të lidhë lagjen Novo Lisiçe me lagjen Gazi Baba, gjë me të cilën do të zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme kaosi në kryqëzimin te „Mavrovka“. Pushteti vendor punon edhe në lidhjen e dy anëve të qytetit nëpërmjet urës së re në Karposh 4, dhe nuk heq dorë as nga ndërtimi i tunelit nën Kala si një zgjidhje afatgjate për lidhjen rrugore të hemisferës “së majtë” dhe “të djathtë” të Shkupit.
Gjithashtu, nuk është aspak për t’u anashkaluar edhe fakti që kishte një numër rekord gjelbërimi në këtë pjesë të qytetit, dhe se çatia më e madhe e gjelbër në Shkup do të jetë në „Mavrovka“. Flas edhe për rreshtat e pemëve në Bit-Pazar, dhe korsitë e këmbësorëve të rregulluara, që më parë ishte diçka e paimagjinueshme. Kam parasysh edhe buxhetet e rritura të institucioneve kulturore, numrin më të madh të projekteve kulturore, të cilat promovojnë kulturën dhe bashkëjetesën e shqiptarëve, maqedonasve,turqve, boshnjakëve, romëve, dhe bashkësive të tjera që jetojnë në këtë pjesë të qytetit.
Falë përpjekjeve të administratës së qytetit, zhvillimi i Shkupit është më i ekuilibruar. Qyteti i Shkupit tashmë nuk është për disa nënë, e për disa të tjerë njerkë. Edhe hemisfera e majtë edhe ajo e djathtë e Shkupit duhet të vazhdojnë të zhvillohen në mënyrë të ekuilibruar,që truri i Maqedonisë të funksionojë në interes të të gjithë qytetarëve në vendin tonë.